Gazetari investigativ Artan Hoxha ka zbuluar detaje tronditëse lidhur me grupet e armatosura që veprojnë në territorin shqiptar, duke deklaruar se disa prej tyre janë aq të organizuara dhe të pajisura, sa nuk i druhen më as policisë së shtetit.
Sipas Hoxhës, bëhet fjalë për një strukturë kriminale të ngjashme me “skuadra ekzekutimi”, që operon në mënyrë të koordinuar dhe profesionale. Ai tha se ka publikuar emrat dhe fotot e personave të përfshirë, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për ushtarakë apo efektivë policie, por për vrasës të trajnuar dhe të financuar nga grupe të fuqishme kriminale.
“Këta njerëz nuk i kanë frikë policisë. Janë të pajisur si njësi speciale, me armatim të sofistikuar, komunikim të koduar dhe mjete të blinduara. Kam nxjerrë publikisht emrat dhe fotot e tyre, sepse opinioni duhet ta dijë se çfarë strukture kemi përballë,” – tha Hoxha gjatë një interviste televizive.
Gazetari theksoi se këto grupe veprojnë në mënyrë të disiplinuar, duke ndjekur urdhra të qartë dhe duke shmangur gjurmët pas çdo atentati. Ai paralajmëroi se përballja me to kërkon një reformim të thellë në strukturat e hetimit dhe të inteligjencës policore, pasi deri më tani, shteti ka treguar dobësi për t’i parandaluar apo goditur në kohë.
Në intervistën e tij, Hoxha solli shembuj nga ngjarje të fundit, ku autorët kanë vepruar me profesionalizëm të lartë dhe kanë lënë pak prova në vendin e ngjarjes. Sipas tij, ky është një sinjal alarmi për autoritetet ligjzbatuese, pasi po përballemi me një fazë të re të kriminalitetit të organizuar në vend.
“Në shumë raste, këta persona shfaqen me uniforma të ngjashme me ato të forcave speciale, duke krijuar konfuzion dhe frikë në publik. Ata nuk janë më thjesht banditë lagjesh — janë strukturë e organizuar me hierarki, logjistikë dhe mbështetje financiare serioze,” – shtoi ai.
Deklaratat e Hoxhës kanë ngjallur reagime të forta në opinionin publik dhe në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë kërkojnë që organet ligjzbatuese të reagojnë me transparencë dhe efikasitet ndaj këtyre zbulimeve.