Shkëlqeu me Kombëtaren, dy klubet e njohura angleze kërkojnë Arbër Hoxhën

Pas paraqitjeve mbresëlënëse me Kombëtaren shqiptare, mesfushori i talentuar Arbër Hoxha po tërheq vëmendjen e dy klubeve të njohura angleze: Sheffield United dhe Hull City. Lojtari, i cili është pjesë e Dinamo Zagrebit, po konsiderohet si një prej perspektivave më premtuese të futbollit shqiptar.

Sipas burimeve sportive, klubi i Hull City ka shprehur interes të veçantë për Hoxhën, duke marrë parasysh lidhjet e trajnerit aktual Sergej Jakiroviç me lojtarin gjatë periudhës së tij te Dinamo Zagreb. Ndërkohë, Sheffield United është gjithashtu në kërkim të një mesfushori kreativ dhe shpejtë, dhe performancat e Hoxhës me Kombëtaren e kanë futur menjëherë në listën e dëshirave të tyre.

Megjithatë, Dinamo Zagreb ka rinovuar së fundmi kontratën e Hoxhës deri në qershor të vitit 2029, duke e bërë të qartë se klubi kroat nuk ka ndërmend ta lejojë largimin e tij pa një ofertë të konsiderueshme. Vlera e tij aktuale në treg raportohet të jetë rreth 1 milion euro, çmim që mund të ndikojë në negociatat me klubet angleze.

Arbër Hoxha ka treguar stabilitet dhe maturi në paraqitjet e tij ndërkombëtare, duke u shndërruar në një nga lojtarët kyç të Kombëtares shqiptare. Me këtë formë, është vetëm çështje kohe para se interesimi i klubeve të mëdha evropiane të kthehet në një ofertë konkrete.