Gjiganti spanjoll dhe evropian, FC Barcelona, ka shfaqur interes serioz për talentin e kombëtares së Kosovës, Fisnik Asllani, i cili po shkëlqen me fanellën e Hoffenheim në Bundesliga.
Sipas raportimit të gazetarit të njohur të Sky Sports DE, Florian Plettenberg, katalanasit po ndjekin nga afër situatën e sulmuesit 23-vjeçar dhe janë të informuar për klauzolën e lirimit që lojtari ka për verën e ardhshme.
“Asllani ka një klauzolë lirimi të përcaktuar për verën e ardhshme, për të cilën Barcelona është e informuar,” ka shkruar Plettenberg në platformën “X” (ish-Twitter).
Ai gjithashtu njofton se një transferim në një klub të madh evropian është i planifikuar, dhe pritshmëritë janë që destinacioni i radhës i sulmuesit kosovar të jetë një skuadër që luan në Ligën e Kampionëve.
Vetë Asllani ka pranuar në një intervistë për Sport Bild se Barcelona është klubi i ëndrrave të tij:
“Klubi im i ëndrrave ka qenë gjithmonë Barcelona – gjithmonë kam dashur të luaj atje,” ka thënë ai.
Forma e tij në rritje ka bërë jehonë edhe në nivel ndërkombëtar. Ai ishte hero i Kosovës në fitoren kundër Suedisë të hënën në Goteborg, duke shënuar golin e vetëm të ndeshjes.
Në total për këtë sezon, Asllani numëron gjashtë gola dhe dy asistime, me klub dhe kombëtare, duke konfirmuar statusin e tij si një nga emrat më premtues të futbollit kosovar.