Tiranë, 13 nëntor 2025 — Kryeministri Edi Rama ka shpallur sot se Shqipëria ka hyrë në fazën përfundimtare të rrugëtimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Pas pesë ditësh, në Bruksel do të mbahet Konferenca Ndërqeveritare për hapjen e kapitullit të fundit të negociatave, që përfshin fushat e burimeve natyrore, bujqësisë dhe politikave të kohezionit.
Në një deklaratë për median, Rama u shpreh se “askush nuk mund ta ndalë më Shqipërinë në rrugën e saj drejt Europës”, duke theksuar se vendi ka arritur të hapë të gjitha kapitujt brenda një viti — një ritëm që, sipas tij, “nuk e ka arritur asnjë vend tjetër kandidat”.
“Kjo është prova që Shqipëria ka ndryshuar. Puna, besimi dhe përkushtimi i institucioneve tona kanë dhënë rezultate. Ia dolëm, dhe tashmë na pret etapa e fundit drejt familjes europiane,” — deklaroi Rama.
Burime nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bëjnë me dije se konferenca e 17 nëntorit do të shënojë mbylljen simbolike të fazës së hapjes së kapitujve, ndërsa vëmendja do të përqendrohet në përmbushjen e reformave të mbetura, veçanërisht në drejtësi, administratë dhe sundimin e ligjit.
Zyrtarë të BE-së kanë përgëzuar përparimin e Tiranës, por kanë paralajmëruar se procesi i anëtarësimit kërkon vazhdimësi dhe rezultate të prekshme në terren.
Në anën tjetër, opozita ka kërkuar transparencë të plotë mbi raportet e vlerësimit të Komisionit Europian, duke theksuar se “suksesi i vërtetë do të matet me standardet që përjeton qytetari shqiptar në përditshmëri, jo vetëm me deklarata politike”.
Qeveria shqiptare synon që negociatat të përfundojnë deri në vitin 2027, me objektivin për anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian brenda vitit 2030.