Futbollisti i Barcelonës dhe kombëtares spanjolle, Lamine Yamal, është një nga lojtarët më të talentuar në planet, por njihet gjithashtu për një “jetë të shfrenuar”.
Situatat e tij private kanë nisur të bëhen lajm që nga dita kur mbushi 18 vjeç dhe organizoi një festë ditëlindjeje, e cila bëri bujë në media botërore dhe shkaktoi reagime të shumta. Ai madje u hetua nga autoritetet spanjolle, pasi akuzohej se kishte ftuar persona me “xhuxhizëm”.
Yamal është shumë aktiv edhe në rrjetet sociale, ku shpesh poston foto me të dashurën e tij, Nicki Nicole, këngëtare e famshme nga Argjentina. Ai tregon vetëbesim të madh në postimet e tij, përfshirë një foto para ndeshjes me PSG-në me mbishkrimin “No Pressure – Pa Presion”.
Edhe para ndeshjes së madhe të El Clasicos, Yamal ishte i ftuar në një emision, ku e quajti Real Madridin një klub “hajdutësh” dhe dha deklarata të tjera të pamatura, që sipas mediave spanjolle i motivuan lojtarët e Realit. Në fund, Reali fitoi 2-1 në “Santiago Bernabeu”, me Yamalin që kishte një nga paraqitjet më të dobëta për Barcelonën.
Këto veprime kanë ngjallur reagim te Barcelona. Klubi blaugranas po punon ngushtë me agjentin e lojtarit, Jorge Mendes, për të ndaluar publikimin e situatave kontroverse nga jeta private e Yamalit. Qëllimi është që futbollisti të fokusohet vetëm te futbolli.
Lamine Yamal është produkt i akademisë së Barcelonës dhe debutoi me klubin në vitin 2023, nën drejtimin e Xavi Hernandez. Deri më tani, ai ka fituar dy herë La Ligan, një herë Kupa e Mbretit, një herë Superkupën e Spanjës, dhe një herë EURO-n. Madje, Yamal doli i dytë në garën për Topin e Artë të sivjetmë, të cilin e fitoi Ousmane Dembele.
Sipas “Transfermarkt”, vlera e tij në tregun e transferimeve kap shifrën e 200 milionë eurove.