“E di që nuk do ta bëj më kurrë” — Futbollisti i Andorrës shpërthen në lot në mes të konferencës para ndeshjes me Shqipërinë

Emocione të forta kanë shoqëruar konferencën e sotme për shtyp të kombëtares së Andorrës, një ditë para përballjes me Shqipërinë. Futbollisti me përvojë i skuadrës, Sergio Moreno, nuk i ka mbajtur dot lotët teksa ka shpallur zyrtarisht largimin nga futbolli ndërkombëtar.

“E di që nuk do ta bëj më kurrë… Nuk e mendoja kurrë se do të vinte dita të thosha këto fjalë,” – u shpreh Moreno me zë të dridhur para gazetarëve. “Për mua, kombëtarja ka qenë gjithmonë shtëpia ime, një pjesë e jetës sime që nuk do të harroj kurrë.”

Mes emocionesh, lojtari 38-vjeçar kujtoi edhe momentet e para me fanellën e Andorrës, ku debutoi në moshën vetëm 16-vjeçare në një ndeshje miqësore kundër Kinës. Me 76 paraqitje në total, ai konsiderohet një nga figurat më të respektuara të ekipit kombëtar.

“Kam dhënë gjithçka për këtë fanellë. Shpresoj që nesër, ndaj Shqipërisë, të mbyll këtë kapitull me dinjitet dhe me një rezultat që do të na bëjë të gjithëve krenarë,” shtoi ai.

Fjalët e tij u pritën me duartrokitje nga stafi dhe bashkëlojtarët e pranishëm në sallë, ndërsa mediat andorrane raportuan se Moreno është gati të vazhdojë karrierën në nivel klubesh, por pa përfaqësuar më kombëtaren.

Ndeshja Andorra – Shqipëri do të zhvillohet nesër në orën 20:45, dhe pritet të ketë një atmosferë të veçantë, pasi do të shënojë edhe fundin e një epoke për njërin nga emrat më të përkushtuar të futbollit andorran.