Elanga i nervozuar nga humbja e Kosovës, kuptohet çka tha në tunel teksa po shkonte në zhveshtore

Anthony Elanga ishte i përfshirë në një moment të tensionuar në tunel pas humbjes së Suedisë ndaj Kosovës.

Të hënën në mbrëmje, Suedia pësoi një humbje 1-0 nga Kosova në ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës, që u zhvillua në stadiumin “Ullevi” në Goteborg, në shtëpinë e tyre.

Ky rezultat shënon humbjen e tretë radhazi për kombëtaren suedeze dhe bën të pamundur sigurimin e kualifikimit direkt për Kupën e Botës 2026, ndërkohë që vendi në fazën e play-off-it nuk është aspak i sigurt.

Aktualisht, Suedia ndodhet në fund të grupit me vetëm një pikë nga katër ndeshje, ndërsa kryesuesit e grupit, Zvicra, kanë dhjetë pikë, Kosova shtatë dhe Sllovenia tre.

Duket se kjo periudhë e errët e rezultateve ka ndikuar shumë edhe te Anthony Elanga, i cili raportohet se është dëgjuar duke bërtitur nga nervoizmi në tunelin e stadiumit pas humbjes së Kosovës.

Më pak se 24 orë pas humbjes nga Kosova, Federata Suedeze e Futbollit konfirmoi shkarkimin e përzgjedhësit Jon Dahl Tomasson.

Gazetari Jonas Enarson pretendon se ka dëgjuar yllin e Newcastle United duke thënë: “Sistemi i mallkuar duhet të largohet”, ndër të tjera, gjatë qëndrimit në tunel.

Pavarësisht se ka pasur një fillim të shkëlqyer me Newcastle United, Elanga ishte vendosur në stol për ndeshjen ndaj Kosovës, një vendim që ai vetë e pranoi më vonë se e kishte të vështirë ta pranonte.