Egli Tako ka reaguar sërish ndaj publikimeve të disa portaleve, të cilat, sipas saj, kanë shkelur çdo kufi etik dhe njerëzor duke botuar lajme të pavërteta dhe duke përfshirë në to persona që nuk janë figura publike. Moderatorja e njohur thekson se sulmet e ditëve të fundit kanë cenuar rëndë integritetin, karakterin dhe të drejtat e saj, duke e detyruar të ndërmarrë hapa ligjorë.
Në një deklaratë të bërë së fundmi, Egli u shpreh:
“U përdorën identitete të njerëzve që s’kanë asnjë lidhje me këtë botë, njerëz të ndershëm e punëtorë. Doli jashtë çdo limiti. Më kanë cenuar moralin, karakterin, të drejtat e mia. Nuk kam ndër mend ta lë me kaq.”
Ajo shtoi se praktikisht është bërë objekt i shpifjeve të rënda, të cilat jo vetëm dëmtojnë figurën e saj, por dëmtojnë edhe individë të cilët nuk janë pjesë e jetës publike. Për këtë arsye, Egli konfirmoi se ka depozituar kallëzim penal ndaj portalit që, sipas saj, ka publikuar lajme të pavërteta me qëllim përfitimin nga klikimet.
“Kam kallëzuar portalin që publikoi këto shpifje. Ligji ekziston dhe duhet të zbatohet. Nuk mund të përdorësh emrin e dikujt sa herë të duhet audiencë. Sidomos kur përfshihet një person që nuk është figurë publike—është e pafalshme,” deklaroi ajo.
Tako theksoi se përballja e saj nuk është me komentet e individëve në rrjete sociale, me të cilat është mësuar prej vitesh, por me mediet që funksionojnë si biznese dhe që, sipas saj, duhet të mbajnë përgjegjësi për përmbajtjen që publikojnë.
Ajo nënvizoi se beson ende tek drejtësia dhe institucionet, duke shtuar se do të vazhdojë këtë proces deri në fund:
“Kam besim te shteti dhe ligji. Shqipëria mund të bëhet vend më i mirë vetëm nëse kush shkel përgjegjësinë publike përballet me pasojat. Kjo çështje do të ndiqet deri në fund, sepse nuk dua që askush tjetër të kalojë atë që po kaloj unë.”
Reagimi i saj ka ngjallur diskutime të gjera në rrjet, ku shumë ndjekës e kanë mbështetur duke kërkuar rritje të standardeve të etikës mediatike dhe ndëshkim të shpifjeve në media.
Në pritje të zhvillimeve të mëtejshme, Egli Tako duket e vendosur të mos tolerojë më tej atë që e cilëson si fushatë të padrejtë dhe të dëmshme ndaj saj dhe njerëzve pranë saj.