Publikohet videoja e takimit mes 26-vjeçarit dhe turistes italiane (VIDEO)

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit në zonën e plazhit në Durrës, ku një shtetase italiane 18-vjeçare ka denoncuar një sulm fizik dhe seksual nga një 26-vjeçar shqiptar.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 13, në zonën e shezlongëve të një hoteli. Vajza ka treguar se pas një komunikimi të shkurtër me autorin e dyshuar, është sulmuar me forcë, pavarësisht përpjekjeve të saj për të bërë rezistencë.

Pas kallëzimit të saj në polici, autoritetet kanë shpallur në kërkim dhe më pas kanë arrestuar 26-vjeçarin Leonardo Preza, banues në Durrës, person me precedentë të mëparshëm për armëmbajtje pa leje dhe vjedhje.

Sipas informacioneve paraprake, e reja ndodhej me shoqërinë e saj kur për një moment është larguar dhe është ulur vetëm në një nga shezlongët e zonës.

Pikërisht aty dyshohet se ka ndodhur edhe sulmi.

Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat po ndihmojnë hetimin e ngjarjes.

Ndërkohë, e reja ka marrë ndihmën mjekësore dhe po mbështetet nga autoritetet për vijimin e procedurave ligjore.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik, ndërsa autoritetet deklarojnë se do të vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe për të siguruar drejtësi për palët e përfshira.