Një udhëtim për qëllime estetike në Stamboll ka përfunduar në mënyrë tragjike për Mentor Ramën, një 36-vjeçar me shtetësi britanike dhe origjinë shqiptare, i cili humbi jetën pak orë pas kryerjes së dy ndërhyrjeve mjekësore.
Sipas raportimeve zyrtare nga autoritetet turke, Rama kishte udhëtuar drejt Turqisë për t’iu nënshtruar dy procedurave të njohura estetike: një transplanti flokësh dhe një trajtimi dentar. Ndërhyrja e parë u krye në një klinikë të specializuar në lagjen Fulya të Stambollit, ndërsa procedura dentare u realizua në një klinikë tjetër brenda kompleksit “Vadi Istanbul”.
Pas përfundimit të trajtimeve, 36-vjeçari u kthye në hotelin e tij në zonën Şişli, ku më vonë filloi të shfaqte shqetësime të forta. Stafi i hotelit thirri urgjencën, dhe Rama u transportua në spitalin “Seyrantepe Hamidiye Etfal”. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta shpëtuar, ai ndërroi jetë më 11 nëntor.
Policia turke ka nisur një hetim për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, ndërsa trupi i tij është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi. Rezultatet pritet të përcaktojnë nëse vdekja lidhet drejtpërdrejt me procedurat estetike apo me një komplikacion tjetër shëndetësor.
Ministria e Jashtme britanike ka konfirmuar se është në kontakt me familjen dhe autoritetet turke, duke ofruar mbështetje konsullore.
Rasti ka ngjallur diskutime të reja mbi sigurinë e procedurave estetike jashtë vendit dhe nevojën për informim të plotë para kryerjes së ndërhyrjeve të tilla.