Trajneri i Andorrës habit para ndeshjes me Shqipërinë: “Kemi punuar vetëm katër orë!”

Në prag të përballjes mes Shqipërisë dhe Andorrës, e vlefshme për eliminatoret e kampionatit evropian, trajneri i përfaqësueses andorrane, Koldo Álvarez, ka befasuar me deklaratën e tij në konferencën për shtyp.

Tekniku pranoi se skuadra e tij ka zhvilluar vetëm katër orë stërvitje për ndeshjen ndaj kuqezinjve.

“Kemi punuar vetëm katër orë për Shqipërinë. Nëse arrijmë të mbrojmë 4–5 metra përpara zonës dhe jo brenda saj, do të jetë më mirë për ne,” – u shpreh Álvarez.

Deklarata ka shkaktuar reagime të shumta në mediat sportive, duke ngritur pikëpyetje mbi nivelin e përgatitjeve të Andorrës për një ndeshje ku Shqipëria kërkon fitoren për të siguruar kualifikimin historik në turneun final.

Megjithatë, trajneri i Andorrës theksoi se skuadra e tij do të hyjë në fushë me dinjitet dhe përkushtim.

“E dimë që Shqipëria është favorite. Ka lojtarë me cilësi dhe luan për diçka të madhe. Por ne do të japim maksimumin tonë, si gjithmonë.”

Shqipëria pritet të ketë mbështetjen e plotë të tifozëve në “Air Albania”, ndërsa synon të mbyllë me fitore një cikël kualifikues të suksesshëm.